Certificazione Unica (CU): çfarë është dhe për çfarë shërben
Certificazione Unica (CU) është dokumenti që dëshmon të ardhurat ose fitimet e marra si punonjës ose profesionist i pavarur gjatë një viti. Zbulo më shumë si funksionon dhe pse është i rëndësishëm.
Në Itali, për të aktivizuar disa procedura ose shërbime është e nevojshme të paraqesësh të ardhurat vjetore, personale apo familjare, nëpërmjet disa dokumenteve specifike. Për shembull, nëse do rinovosh permesso di soggiorno per lavoro (lejen e qëndrimit për arsye pune) do të duhet të paraqesësh të ardhurat financiare vjetore nga puna e kryer përmes Certificazione Unica (CU).
Çfarë është Certificazione Unica (CU)?
Certificazione Unica (CU) është dokumenti që tregon se sa të ardhura ke fituar duke punuar në një vit. E merr në muajt e parë të vitit të ri dhe i referohet vitit të kaluar. Për shembull, në fillim të vitit 2023 do marrësh CU që tregon të ardhurat nga puna për vitin 2022.
Nga kush e merr Certificazione Unica (CU)?
Certificazione Unica (CU) është një dokument i detyrueshëm që çdo punëtor duhet të marrë çdo vit. Në përgjithësi, Certificazione Unica e merr nga:
- punëdhënësi, nëse je i punësuar;
- nga kush të ka porositur një punë, nëse je profesionist i lirë;
- nga INPS ose ente të tjera nëse ke marrë disoccupazione (ndihmë monetare si i pa punë), cassa integrazione, reddito di cittadinanza ose ndihma të tjera ekonomike.
Kujdes: Nëse vitin e kaluar ke punuar në punë të ndryshme (apo ke qenë i papunë për një periudhë) atëherë do marrësh më shumë se një Certificazione Unica (CU). Për shembull, nëse vitin e kaluar ke punuar për një periudhë dhe më pas ke qenë i papunë (dhe për këtë ke aplikuar për disoccupazione në INPS), atëherë do marrësh një CU nga punëdhënësi dhe një nga INPS. Ose nëse ke ndryshuar punë vitin e kaluar, do marrësh një CU nga punëdhënësi i vjetër dhe një nga punëdhënësi i ri.
Për të marrë CU nga INPS mund të shkosh në sportelet e INPS në zonën tënde. Gjej INPS në zonën tënde.
Ose mund ta shkarkosh nga WebFaqa e INPS duke ndjekur këtë rrugë: Prestazioni e Servizi → Servizi → lettera “C” → Certificazione unica (cittadino)
Mos harro se për të hyrë në praktikat online duhet të kesh SPID.
Për çfarë të duhet Certificazione Unica (CU)?
Në përgjithësi, nevojitet në të gjitha ato raste në të cilat të duhet të provosh se ke të ardhura nga puna. Për shembull, nëse të duhet të rinovosh lejen e qëndrimit për arsye pune.
CU është një dokument mjaf i rëndësishëm pasi dëshmon zyrtarisht se cilat janë të ardhurat e tua por dhe taksat që punëdhënësi ka paguar për ty. Mirpo ndonjëherë, për shembull në ato raste kur merr më shumë se një CU, taksat e paguara nga punëdhënësi mund të mos jenë të mjaftueshme. Në këtë rast duhet të bësh dhe dichiarazione dei redditi (deklaratën e të ardhurave) dhe të marrësh me vete të gjitha CU që ke marrë për verifikim.
Nga ana tjetër, nëse të duhet për shembull të aplikosh për të marrë ndihmë ekonomike nga shteti (siç janë bonus për foshnjat, shpërblime sociale, etj.), duhet të paraqesësh një dokument të quajtur ISEE. Zbulo më shumë për këtë dokument në këtë artikull.
Link të dobishëm
-
La Certificazione Unica
Shko te linku -
Si të rekuperosh Certificazione Unica
Shko te linku
Mund të interesojë
-
Deklarata vjetore e të ardhurave (dichiarazione dei redditi): çfarë është dhe si bëhet
Hap artikullin -
Modello 730
Hap artikullin