Shtetësia italiane

Me marrjen e shtetësisë bëhesh zyrtarisht shtetas italian dhe përfiton të njëjtat të drejta civile dhe politike që kanë të gjithë shtetasit italianë. Nënshtetësia merret automatikisht ose duke bërë një aplikim. Në këtë artikull do të mësosh rastet në të cilat mund të merret shtetësia, cilat janë kërkesat dhe informacionet e dobishme për shtetësinë e dyfishtë.

Shtetësia është dokumenti që të bën zyrtarisht shtetas italian, edhe nëse je shtetas i një vendi tjetër. Me shtetësinë përfton të drejta civile dhe politike që nuk i kishe më parë dhe që i gëzojnë vetëm shtetasit italianë.

Nëse ke shtetësinë italiane nuk ke pse të aplikosh për permesso di soggiorno për të jetuar në Itali ose në vende të tjera të BE-së. Gjithashtu, mund të aplikosh për shtetësinë italiane për fëmijët tuaj dhe do të marrësh pjesë në aktivitete të rëndësishme të vendit, si të votosh në zgjedhje.

Si merret shtetësia italiane?

Në disa raste nuk nevojiten kritere të veçanta për të përfituar shtetësinë. Ajo përfitohet automatikisht. Pothuajse të gjitha këto raste kanë të bëjnë me fëmijët.

Ka edhe raste në të cilat shtetësia merret me aplikim. Aplikimi bëhet online dhe shqyrtohet nga Prefektura.

Pra, ekzistojnë 2 mënyra për të marrë nënshtetësinë italiane. Ja detajet më poshtë:

Rastet në të cilat shtetësia fitohet automatikisht janë:

Nga nascita (lindja): nëse babai ose mëna janë shtetas italianë, fëmija ka shtetësinë italiane.

Nga nascita (lindja) në territorin italian: nëse prindërit janë të panjohur, pa shtetësi (nuk janë shtetas të asnjë shteti) ose shtetas të huaj të një shteti që nuk njeh kalimin e nënshtetësisë së prindërve tek fëmija, fëmija merr nënshtetësinë italiane.

Nga adozione (adoptimi): nëse një shtetas italian adopton një fëmijë nën moshën 18 vjeçare, ky fëmijë përfton shtetësinë italiane.

Rastet në të cilat mund të merret shtetësia duke aplikuar janë:

Nga nascita (lindja) dhe residenza (rezidenca) në Itali: fëmija e prindërve të huaj mund të aplikojnë për shtetësinë italiane nëse:

  • Ai/ajo ka lindur në Itali
  • Ai/ajo deri në moshën 18-vjeçare ka pasur gjithmonë rezidencë në Itali. Residenza është vendi kryesor ku personi jeton dhe adresa e residenza duhet të jetë regjistruar në Ufficio dell’Anagrafe (zyra e gjendjes civile).
  • Në moshën 18 vjeç, ai/ajo deklaron se dëshiron të marrë shtetësinë italiane. KUJDES: është e detyrueshme paraqitja e aplikimit në vitin që varion nga 18 deri në 19 vjeç të aplikantit. Nëse kërkesa bëhet pas moshës 19 vjeç shtetësia mund të refuzohet.

Nga matrimonio (martesa): nëse një i huaj martohet me një shtetas italian, ai/ajo mund të aplikojë për shtetësi:

  • pas një viti nga martesa nëse çifti adopton ose ka një fëmijë dhe ka rezidencë në Itali. Ndërsa nëse çifti ka rezidencë jashtë shtetit mund të aplikojnë pas një viti e gjysmë
  • pas dy vitesh nga martesa nëse çifti ka rezidencë në Itali
  • pas tre vitesh nga martesa nëse çifti ka rezidencë në një vend tjetër

Nga ana tjetër, nëse dy persona të huaj martohen dhe banojnë në Itali dhe njëri merr nënshtetësinë italiane, tjetri nuk merr menjëherë shtetësinë. Ky person mund të aplikojë për shtetësi pas 2 vjetësh nga data në të cilën burri/gruaja është bërë shtetas italian.

Ja një shembull për të kuptuar më mirë: Hassan dhe Pahola janë rezidentë në Itali, por nuk janë shtetas italianë. Hasani dhe Pahola janë të martuar. Pahola merr nënshtetësinë më 10 mars 2021, kështu që nga kjo datë Pahola është shtetase italian. Hasani mund të aplikojë për shtetësi dy vjet pas kësaj date, pra 10 mars 2023.

Nga residenza / naturalizzazione (rezidencës/natyralizim): një person i huaj mund të aplikojë për shtetësi nëse ka rezidencë në Itali dhe është regjistruar në Ufficio dell’Anagrafe (zyra e gjendjes civile) pa ndërprerje prej:

  • 4 vitesh nëse ai/ajo është qytetar i një vendi në BE
  • 5 vitesh nëse ai/ajo është apolide (person pa shtetësi) ose refugjat me leje qëndrimi për azil politik
  • 10 vitesh nëse ai/ajo është qytetar i një vendi jo-europian ose ka permesso per protezione sussidiaria, per motivi umanitari ose lloje të tjera permessi di soggiorno

Kjo mënyrë e marrjes së shtetësisë quhet natyralizim.

Përveç viteve të qëndrimit në Itali, ka edhe kritere të tjera për marrjen e shtetësisë me natyralizim. Këto kritere janë:

  • të ardhur minimale prej 8.263,31 euro në vit për 3 vitet e mëparshme para vitit në të cilin po aplikon për shtetësi. Nëse ke familje, të ardhurat minimale janë 11.362,05 euro. Për çdo fëmijë në ngarkim janë 516,46 euro plus. Nëse të ardhurat e tua janë më të ulëta se kaq mund të shtosh të ardhurat e një pjesëtari tjetër të familjes që jeton së bashku me ty.
  • Të kesh njohuri në nivelin B1 të gjuhën italiane. Duhet të kesh një certifikatë niveli B1 e cila merret duke dhënë një provim. Niveli B1 nuk është i nevojshëm nëse ke diplomë nga gjimnazi (terza media) në Itali.

Nga discendenza (prejardhja): nëse një person i huaj ka një “paraardhës” italian, pra një gjysh të largët ose një gjyshe të largët që kanë qenë shtetas italianë, ky person mund të aplikojë për shtetësi. Për të marrë nënshtetësinë, ai duhet të ketë dokumente që vërtetojnë se paraardhësi ka qenë italian dhe se nuk e ka humbur shtetësinë italiane, si çertifikata e lindjes ose e martesës së paraardhësit.

Ligji italian të lejon të kesh dy shtetësi (kjo quhet doppia cittadinanza – shtetësi e dyfishtë). Kjo do të thotë se nëse merr shtetësinë italiane, shteti italian nuk të detyron të hiqësh dorë nga shtetësia fillestare. Pra, mund ta mbash dhe atë.

Megjithatë, duhet të kontrollosh nëse kjo është e lejuar dhe në vendin ku je gjithashtu shtetas. Disa vende nuk lejojnë shtetësi të dyfishtë. Nëse vendi yt i origjinës nuk lejon shtetësinë e dyfishtë, do të thotë se nëse pranon shtetësinë italiane, atëherë humbet atë të origjinës.

Mes vendeve që nuk lejojnë shtetësi të dyfishtë janë: Kameruni, Kepi i Gjelbër, Republika Demokratike e Kongos, Kina, Bregu i Fildishtë, India, Irani, Iraku, Kenia, Mali, Mozambiku, Nigeria, Pakistani, Senegali, Somalia, Sri Lanka, Tunizia, Venezuela, Zambia.

Falë marrëdhënieve mes Italisë dhe vendeve të tjera, vendimet për shtetësinë e dyfishtë mund të ndryshojnë. Për këtë duhet të kontrollosh institucionet që të jesh vërtet i sigurt për vendimet e vendit tëndj. Pra, për të kuptuar nëse shteti i të cilit je shtetas pranon apo jo shtetësinë e dyfishtë, duhet të pyesësh ambasadën ose konsullatën e vendit tënd në Itali.

Mund të interesojë

Dëshiron të marrësh përditësime mbi shërbimet tona dhe informacionin e disponueshëm?

Regjistrohu për buletinin tonë dhe bëhu pjesë e Komunitetit ItaliaHello!