Aplikimi për case popolari (banesë sociale)
Në Itali, personat pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta që nuk mund të blejnë shtëpi ose të paguajnë qira, mund të bëjnë kërkesë në Komunë për të aplikuar për banesë sociale, janë ato shtëpi në pronësi të Shtetit dhe që Komunat u japin njerëzve në vështirësi ekonomike.
Case popolari ose banesat sociale janë shtëpi të ndërtuara nga Shteti dhe që Comune (komuna) i vënë në dispozicion të qytetarëve në vështirësi ekonomike me një çmim shumë të ulët.
Personat që nuk janë në gjendje të paguajnë një shtëpi me qira mund të bëjnë kërkesë në Comune (komunën) ku jetojnë për të marrë një nga banesat sociale në dispozicion. Kërkesa mund të bëhet vetëm kur publikohet “bando per l’assegnazione di alloggi di edilizia residenziale pubblica” (shpallja për caktimin e banesave sociale të banimit).
Në mungesë të njoftimit nuk është e mundur të bëhet asnjë kërkesë. Megjithatë, ne të këshillojmë të kontaktosh zyrat e komunës për të mësuar nëse ka një listë pritjeje për banesat sociale ose nëse ka ndonjë përditësim se kur do të publikohet njoftimi.
Kështu do jesh i përgatitur dhe do respektosh skadencat!
Kur publikohet njoftimi?
Koha e publikimit të shpalljes për të aplikuar për banesat sociale ndryshon nga komuna në komunë.
Kur ka banesa të reja në dispozicion ose nëse banesat sociale janë liruar, komuna publikon shpalljen për të gjetur persona të cilëve t’u jepen me qira këto hapësira.
Për të qënë gjithnjë i informuar në kohë reale dhe për të ditur se kur mund të bësh aplikimin, është shumë e rëndësishme të kontrollosh vazhdimisht webfaqen online të komunës ku jeton ose të shkosh personalisht në zyrat e komunës për të kërkuar më shumë informacion.
Si të aplikosh?
Mund të aplikosh online, por gjithashtu mund të kërkosh ndihmë te një patronato për të dorëzuar aplikimin tënd. Ke ende një mundësi tjetër: mund të shkosh në zyrat e komunës që merren me këtë aplikim.
Njoftimi u drejtohet edhe shtetasve jo europianë të pajisur me leje të rregullt qëndrimi (permesso di soggiorno), e cila mund të jetë:
- permesso di soggiorno di lungo periodo – leje qëndrimi afatgjatë;
- leje qëndrimi të paktën dy vjeçare që të lejon të punosh.
Bëj shumë kujdes me skadencat dhe mos harro se, së bashku me formularin specifik, duhet të paraqesësh këto dokumente:
- një fotokopje të dokumentit të identitetit;
- një marca da bollo (pullë me një vlerë të caktuar);
- ISEE-ERP tënde
Renditja përfundimtare
Pas skadimit të njoftimit, do të publikohet graduatoria dei beneficiari (lista e përfituesve), pra lista e personave që do të kenë mundësi të marrin banesë sociale.
Ka disa gjëra që merren parasysh kur vendoset se kujt i takon banesa sociale, siç janë:
- persona që jetojnë në shtëpi pa shërbime higjienike;
- persona që jetojnë në dormitori ose qendra grumbullimi;
- personat me aftësi të kufizuara dhe të paaftë për punë;
- personat me të ardhura vjetore më të ulëta se pensioni minimal INPS, rreth 600 euro;
- persona beqarë me të mitur në ngarkim;
Kur ka rezultate të barabarta midis dy ose më shumë personave që kërkojnë strehim, përparësi do t’u jepet personave me:
- shkallë më e lartë e aftësisë së kufizuar;
- të mitur ose të moshuar në ngarkim;
- familje me më shumë anëtarë;
- të ardhura më të ulëta;
E RËNDËSISHME: Regjistrimi në regjistrin e gjendjes civile
Për të aplikuar për banesë publike, duhet të regjistrohesh në Regjistrin e gjëndjes civile (Ufficio Anagrafe) të komunës ku jeton dhe ku dëshiron të qëndrosh.
Për t’u regjistruar në regjistrin e komunës, mos harro të marrësh me vete:
- Pashaportën tënde
- Lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno)
- Kodin fiskal
- Patentën (nëse ke një të tillë)
Nëse aplikimi yt përfshin edhe anëtarët e familjes, mos harro të marrësh dokumentacionin që dëshmon lidhjen tuaj, si çertifikata e martesës dhe/ose çertifikata e lindjes së fëmijëve.
Mund të interesojë
-
ISEE: çfarë është dhe për çfarë shërben
Hap artikullin -
Kontrata e qerasë: çfarë nevojitet dhe si bëhet
Hap artikullin -
Residenza, domicilio dhe ospitalità: cilat janë dallimet
Hap artikullin