Komunikimi shkollë – familje
Fëmijët tuaj kalojnë shumë kohë në shkollë që në vegjëli dhe shkolla është një hapësirë e rëndësishme në jetën e tyre. Në këtë faqe, do të gjesh këshilla të dobishme për të mbajtur komunikim të mirë me mësuesit dhe për të qenë gjithmonë i përditësuar.
Komunikimi i mirë shkollë-familje është i rëndësishëm sepse në këtë mënyrë prindërit mund të mësojnë për performancën arsimore të fëmijëve të tyre, dhe në rast të problemeve, kërkojnë një mënyrë së bashku me mësuesin për të ndihmuar nxënësin.
Edhe në rast të vështirësive familjare, është gjithmonë e këshillueshme që të flisni me mësuesit dhe të shpjegoni vështirësitë që mund të përjetojë nxënësi. Është shumë e zakonshme që shumë familje të përballen me momente të vështira për punë, arsye ekonomike, ose të lidhura me dallimet gjuhësore dhe kulturore. Fëmijët, edhe pse të vegjël, mund të preken nga këto situata në rezultatet e tyre akademike. Në këto raste, nëse ka pak bashkëpunim mes familjes dhe shkollës, situata mund të bëhet më e vështirë.
Metoda e komunikimit midis shkollës dhe familjes mund të ndryshojë në varësi të shkollës dhe klasës (scuola elementare, media, superiore). Nëse ke dyshime, mund të pyesësh mësuesit se cila është mënyra më e mirë për të qëndruar në kontakt dhe komunikuar me ta. Zakonisht, metodat më të përdorura janë: regjistri elektronik, takimet e klasave, takimet individuale dhe rrjeti i prindërve.
Regjistri elektronik, ose registro elettronico, është një mjet online ku mësuesit vendosin frekuentimin dhe mungesat, notat, vonesat, detyrat e shtëpisë, orët e mësimit, etj. Regjistri gjithashtu tregon komunikimet e tjera nga shkolla, dhe dëftesat në versionin elektronik. Zakonisht përdoret në shkollën e mesme (scuola media, scuola superiore).
Regjistri pra është një mjet shumë i përdorur që prindërit të jenë të përditësuar në progresin e fëmijëve në shkollë, për të komunikuar me mësuesit dhe për të kërkuar takime.
Gjithashtu dhe studentët mund të përdorin regjistrin nëse kanë nevojë të kontrollojnë detyrat e shtëpisë që duhet të bëjnë dhe komunikimet e shkollës.
Për të hyrë në regjistrin elektronik, duhet të jesh i pajisur me nome utente (emrin e përdoruesi) dhe fjalëkalimin që jepen nga sekretaria e shkollës zakonisht në fillim të vitit të parë. Regjistri elektronik mund të përdoret nga kompjuteri dhe nga telefoni celular.
Shkollat organizojnë takime me familjet, për shembull, për të treguar dëftesat (le pagelle) prindërve në gjysmën e parë të vitit shkollor dhe një takim tjetër në fund të vitit.
Pjesmarrja në këto takime është shumë e rëndësishme sepse janë një mundësi për të folur me mësuesit dhe për të ditur ecurin e fëmijës në shkollë.
Nëse nuk mund të marrësh pjesë në takimet prindër-mësues të caktuara nga shkolla, ke gjithsesi mundësin të kërkosh një takim me mësuesit.
Është shumë e thjeshtë për t’u bërë. Mund të përdorësh regjistrin elektronik ose të shkruash një mesazh koordinatorit të klasës (coordinatore di classe) në ditar (diario). Koordinatori i klasës është mësuesi që përfaqëson mësuesit e tjerë dhe është përgjegjës për organizimin e aktiviteteve të ndryshme shkollore.
Nëse të duhet të flisësh me një mësues specifik, siç është mësuesi i Matematikës ose Frëngjishtes, për shembull, mund të kërkosh një takim direkt me ta. Takimet me mësuesit janë private. Mos ki frikë të flisësh me mësuesit për atë që të shqetëson dhe atë që mund të shqetësojë fëmijën tuaj, edhe nëse është një çështje familjare.
Nëse nuk flet shumë mirë italisht dhe ke nevojë për ndihmë për të folur me mësuesit, mund të pyesësh shkollën nëse shërbimi i ndërmjetësimit gjuhësor (mediazione linguistica) është i disponueshëm për gjuhën tuaj. Shumë bashki në Itali ofrojnë këtë shërbim për shkollat, spitalet dhe vendet e tjera publike. Një ndërmjetës është një person që flet gjuhën amtare të vendit tënd të origjinës dhe gjuhën italiane dhe është në gjendje të ndihmojë duke ndërmjetësuar ndërmjet palëve.
Nëse shkolla nuk ofron shërbimin e ndërmjetësimit, mund të kërkosh ndihmë nga një person të cilit i beson, nëse preferon. Mund të jetë një anëtar i familjes, një mik ose një i njohur. Në ktë rast ështe mirë të njoftosh shkollën paraprakisht duke i thënë se do të shoqërohesh nga një person i njohur për të ndihmuar me gjuhën.
Disa studentë, për shembull, fëmijë që sapo kanë mbërritur në Itali, mund të kenë vështirësi në të folur dhe kuptuar gjuhën italiane, veçanërisht në fillim.
Nëse fëmija juaj nuk flet mirë italisht dhe e ka të vështirë të kuptojë dhe ndjekë mësimet, kjo është krejt normale dhe nuk duhet të alarmohesh. Mund të flasësh për këtë me mësuesit. Shumë shkolla ofrojnë mësime shtesë për shumë lëndë, jo vetëm italisht. Mund të ketë klasa shtesë dhe kurse pas shkollës.
Shkolla do të informojë për shërbimet në dispozicion ose do të tregojë zgjidhje të tjera për të ndihmuar fëmijën së bashku.
Zakonisht, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara ose fëmijët me nevoja të veçanta informojnë shkollën për shëndetin dhe nevojat e fëmijës para se fëmija të fillojë të ndjekë shkollën ose në fillim të vitit. Në këtë mënyrë, prindërit dhe shkolla mund të krijojnë një plan për të ndihmuar fëmijën gjatë gjithë vitit.
Përveç nevojave të përditshme të fëmijës, prindërit dhe mësuesit mund të identifikojnë mënyrën më të mirë të komunikimit në këtë plan. Në varësi të rastit, është e mundur të identifikohet një person referues, një mësues si insegnante di sostegno, ose një edukator tjetër.
Në Itali shumë prindër mbajnë kontakte me prindërit e tjerë në klasën e fëmijës së tyre. Fëmija juaj kalon shumë orë në shkollë dhe krijimi i një marrëdhënieje me prindërit e tjerë do të lejojë të qëndrosh i informuar për atë që po ndodh, të pyesësh dhe të gjesh më shumë informacion dhe ndihmë. Shumë prindër ndihmojnë njëri – tjetrin në shumë mënyra, të tilla si marrja e fëmijëve pas shkollës dhe organizimi i aktiviteteve të tjera.
Zakonisht, prindërit shkëmbejnë numrat e tyre dhe përdorin Aplikacione, si WhatsApp, për të krijuar grupe në klasë dhe gjithmonë qëndrojnë të përditësuar përmes mesazheve.
Mund të interesojë
-
Sistemi shkollor në Itali
Hap artikullin -
Komunikimi
Hap artikullin