Komunikimi

Gjuha italiane është mjeti kryesor për të komunikuar me njerëzit. Megjithatë, ka edhe mjete të tjera që luajnë një rol të rëndësishëm në komunikim. Këtu janë disa informacione që do të ndihmojnë të kuptosh mënyrën më të mirë për të komunikuar me të tjerët.

Në muajt e parë në Itali mund të jetë e vështirë për të komunikuar dhe për tu kuptuar nga njerëzit që takon nëse nuk e din italishten. Gjuha, në fakt, është mënyra kryesore e komunikimit. Por ka edhe mënyra të tjera që mund të ndihmojnë të komunikosh më lehtë me njerëzit. Më poshtë është një listë e këshillave që mund të ndihmojnë të kuptosh më mirë se si të komunikosh me njerëzit në Itali.

Gjuha italiane është mënyra kryesore e komunikimit në Itali. Nëse nuk e din ose dëshiron të përmirësosh aftësitë e tua të leximit/të folurit, ka shumë gjëra që mund të bësh. Mund të:

  • Shkosh në një kurs. Ka shumë kurse të gjuhës italiane për të sapoardhurit, falas dhe me pagesë, ku do të mësosh me ndihmën e një mësuesi. Ka gjithashtu shumë kurse online që mund t’i ndjekësh në kompjuter ose celular.
  • Dëgjosh dhe praktikosh të folurit sa më shumë që të jetë e mundur. Përveç kursit, dëgjimi dhe praktikimi i të folurit sa herë që mundesh do të ndihmojë gjithashtu të mësosh më shpejt gjuhën italiane. Mos ki frikë të pyesësh se çfarë do të thotë një fjalë që nuk e din ose të kërkosh të përsëritet fjalia nëse nuk e kupton.

Njerëzit në Itali kanë rregulla specifike se kur një person duhet të përdorë gjuhën joformale ose formale.

Në situata informale dhe me moshat e reja, italianët përdorin “tu” (ti). Në vend të kësaj, kur flasin me të moshuar, në mjedise zyrtare ose në punë përdorin “Lei” (ju). Për të përdorur saktë “Lei”, duhet të përdorësh gjithmonë vetën e tretë njëjës të foljes. Për shembull, nëse me një shok përdor “tu” dhe pyet “Come stai?” (Si je?), me një të moshuar përdor “Lei” dhe pyet “Come sta?”.

Edhe kur shkruan email ose mesazhe për të moshuarit ose në punë përdor “Lei“.

Njerëzit komunikojnë jo vetëm duke folur, por edhe me shprehjet e fytyrës, gjestet dhe lëvizjet. Këto janë pjesë e “komunikimit joverbal”, domethënë komunikimit që nuk përfshin përdorimin e fjalëve.

Komunikimi joverbal është shumë i rëndësishëm në Itali. Italianët, në fakt, njihen për gjeste dhe lëvizje të shumta gjatë të folurit. Ja disa gjeste kryesore:

  • Kontakti me sy. Mbajtja e kontaktit me sy me personin me të cilin po flet është thelbësore. Është shenjë respekti dhe e bën personin tjetër të kuptojë se po e dëgjon me vëmendje. Nëse nuk e sheh në sy personin me të cilin po flet, ai mund të mendojë se nuk të intereson ajo që po thotë. Edhe nëse kontakti me sy nuk është aq i rëndësishëm në kulturën tënde, gjithmonë përpiqu t’i shikosh njerëzit në sy kur flet me dikë në Itali.
  • Shprehjet e fytyrës. Në Itali, njerëzit përdorin shumë shprehjet e fytyrës për të komunikuar mendimet dhe ndjenjat e tyre. Zakonisht, gjatë një bisede miqësore, do të shohësh njerëz me një shprehje të qetë dhe të qeshur. Ndërsa gjatë një debati do të shohësh njerëz me një shprehje shumë të ashpër dhe të zemëruar. Mundohu të kesh një espresion që tregon vëmendje dhe qetësi kur flet me njerëzit. Kjo do ta bëjë personin me të cilin po flet të ndihet rehat.
  • Qëndrimi i trupit. Qëndrimi është pozicioni i shpinës dhe trupit. Kur flet me dikë, mbaje shpinën drejt dhe shpatullat të hapura. Në këtë mënyrë do përcjellësh besim dhe sinqeritet te personi me të cilin po flet.
  • Hapësira personale. Në Itali, njerëzit mbajnë të paktën një distancë sa krahu nga personi me të cilin po flasin, veçanërisht nëse nuk e njohin. Kjo sepse është e rëndësishme që njerëzit të kenë hapësirën e tyre personale ndërsa flasin dhe lëvizin. Mundohu të respektosh gjithmonë hapësirën personale të personit, përndryshe rrezikon të dukesh agresiv ose tepër miqësor.
  • Gjestet. Njerëzit në Itali përdorin shumë gjeste, domethënë lëvizin shumë duart duke folur. Shumë nga gjestet e tyre kanë një kuptim specifik. Ja një video të kuptosh se për çfarë bëhet fjalë.

Argomenti delicati (tema të ndjeshme) janë gjëra për të cilat italianët nuk flasin hapur, veçanërisht me njerëz që nuk i njohin mirë. Më poshtë janë disa argomenti delicati:

  • Paratë. Paga dhe gjendja bankare janë tema private për të cilat përgjithësisht nuk flitet me të gjithë. Të pyesësh një person “Quanto guadagni?” (Sa fitoni?) ose “Quanti soldi hai in banca?” (Sa para ke në bankë?) konsiderohet e pasjellshme. Prandaj është më mirë të mos flasësh për para me dikë jashtë familjes ose rrethit tënd miqësor.
  • Pamja e jashtme. Njerëzit në Itali janë shumë të ndjeshëm për pamjen dhe imazhin e tyre. Nëse i thua dikujt “Non hai un bell’aspetto” (Nuk dukesh mirë) ose “Mi sembri ingrassato” (Dukesh i shëndoshë) mund të ofendohet, veçanërisht nëse nuk e njeh mirë. Mundohu të mos flasësh për pamjen e njerëzve, përveç nëse ata janë miqtë ose të afërmit tuaj.
  • Çështje intime ose të papërshtatshme. Ka disa tema, si për shembull seksi apo droga, për të cilat nuk duhet folur në vende publike dhe në biseda me të njohur të thjeshtë. Prandaj, përpiqu të shmangësh frazat ose shakatë që mund të ofendojnë ndjeshmërinë e dikujt ose të cenojnë privatësinë e dikujt. Nëse bëhesh pjesë e një bisedë dhe nuk din për cilat tema të flasësh, mund të zgjedhësh tema neutrale si moti, sportet ose hobi i një personi.

Përshëndetjet janë shumë të rëndësishme. Të gjithë njerëzit thonë “Ciao” ose “Buongiorno” kur takohen ose largohen. Shumë gjithashtu shtrëngojnë duart, shkëmbejnë dy puthje në faqe ose përqafohen (kjo vetëm nëse janë miq të ngushtë ose të afërm).

Disa njerëz mund të presin që ti ti shtrëngosh dorën kur ti takosh. Nëse nuk ndihesh rehat ose kultura në të cilën je rritur nuk përfshin kontakt fizik midis burrave dhe grave jashtë familjes, mund t’ia shpjegosh me mirësjellje personit që ke përballë. Ose mund të bashkosh duart dhe të ulësh butësisht kokën. Në këtë mënyrë, do ta kthesh përsëri përshëndetjen në mënyrë të sjellshme dhe do të krijosh kontakte me personin tjetër.

Marrëveshjet dhe kontratat janë forma të rëndësishme komunikimi. Marrëveshjet janë përgjithësisht verbale dhe të shpeshta. Për shembull, nëse një mik të fton të dalësh për darkë me të dhe ti i thua po, ke bërë një marrëveshje. Prandaj personi tjetër pret që ti të paraqitesh në takim. Nëse për ndonjë arsye nuk mund të shkosh në takim, duhet ta njoftosh mikun tënd.

Kontratat, nga ana tjetër, janë marrëveshje të shkruara. Kur hap një llogari bankare, blen një makinë ose merr me qira një shtëpi, duhet të nënshkruash një kontratë. Në kontratë janë të shkruara të gjitha detajet e marrëdhënies mes teje dhe bankës ose teje dhe pronarit të shtëpisë. Mos harro se një kontratë është ligjërisht e detyrueshme. Kjo do të thotë se nëse nuk i respekton kushtet e kontratës mund të ketë pasoja ligjore.

Duhet t’i lexosh me kujdes kontratat përpara se t’i nënshkruash dhe nëse ka diçka që nuk e kupton, kërkon shpjegim menjëherë. Nëse je shumë i pasigurt për atë që shkruhet në kontratë, mund të kërkosh ndihmën e një avokati ose një përkthyesi (të cilin do të duhet ta paguash vetë). Është shumë e rëndësishme të kuptosh mirë përmbajtja e një kontrate dhe kushtet e saj përpara nënshkrimit.

Ndonjëherë ndodh që dy persona nuk pajtohen për një temë. Është normale të kesh mendime të ndryshme dhe është në rregull të tregosh këndvështrimin tënd në një bisedë. Nëse ndodh që nuk je dakord me personin me të cilin po flet, mund të shpjegosh me qetësi dhe mirësjellje pse nuk je dakord.

Nëse njerëzit që nuk pajtohen shqetësohen ose bëhen agresivë, biseda mund të kthehet në një debat. Nëse përfshihesh në një debat, përpiqu të qëndrosh i qetë dhe të shpjegosh pikëpamjen tënde. Nëse personi me të cilin po flet ngre zërin, mundohu ti thuash se nuk është e nevojëshme dhe përpiqu ta kthesh bisedën në një nivel normal. Nëse personi është shumë i zemëruar dhe agresiv, përpiqu të mos përgjigjesh ndaj provokimeve të tij dhe mbylle bisedën.

Mund të interesojë

Dëshiron të marrësh përditësime mbi shërbimet tona dhe informacionin e disponueshëm?

Regjistrohu për buletinin tonë dhe bëhu pjesë e Komunitetit ItaliaHello!