Universiteti: mundësitë për azilkërkuesit dhe refugjatët

Në Itali, ka shumë programe universitare të cilat janë të modeluara për studentët e huaj, sidomos refugjatët dhe azilkërkuesit. Disa nga këto programe janë pa pagesë dhe mund të ndiqen në distancë. Gjithashtu ka edhe programe të veçanta për refugjatët. Zbulo se cilat universitete i kanë këto kurse.

Në Itali, e drejta për edukim është e garantuar me ligj për të gjithë ata që banojnë ligjërisht në vend. Universiteti pranon si studentë italianë dhe të huaj.

Në këtë faqe, ne duam të theksojmë mundësitë e studimit veçanërisht për studentët emigrantë dhe refugjatë. Këto janë mundësi të modeluara për njerëzit që tani jetojnë dhe punojnë në kontekstin europian, por që vijnë nga një realitet tjetër kulturor, shoqëror dhe edukativ.

Për të studiuar në Itali, studenti i huaj duhet të rregullojë situatën ligjore duke u pajisur me vizë studentore nëse është jashtë vendit, dhe më pas me leje qëndrimi për arsye studimi.

Universiteti për refugjatë – edukim pa kufinj është një projekt i Universitetit telematik Uninettuno, i cili nëpërmjet 50 bursave ofron mundësi për të marrë pjesë pa pagesë në kurse profesionale dhe kurse universitare online.

Studentët të cilët mund të marrin pjesë janë:

  • Studentët e huaj që gjenden rregullisht në Itali
  • Studentët me status refugjati
  • Studentët që kërkojnë azil

Çfarë ofron universiteti për refugjatët?

Faqja e internetit është në disa gjuhë: Anglisht, Frëngjisht, Italisht dhe Arabisht. Ajo ofron disa shërbime:

  • Vlerësim të kualifikimeve të huaja Përfshin studentët me dokumentacion të pakompletuar ose të munguar
  • Njohja e aftësive profesionale 
  • Regjistrim falas në diplomën Uninettuno dhe program Master 
  • Regjistrim falas në kurset profesionale Uninettuno 
  • Shërbime shëndetësore
  • Kurse të gjuhës online për:
    Gjuhë italiane, arabe, angleze, gjermane, spanjolle, frënge, holandeze, portugeze, bullgare, çeke, daneze, greke, kroate, hungareze, poloneze, romane, sllovake, finlandeze, suedeze

Universiteti ndërkombëtar Uninettuno pranohet nga Ministria e Arsimit e Italisë dhe kualifikimet akademike të fituara njihen ligjërisht në Itali dhe Evropë.

Unibo për Refugjatët është një projekt i promovuar nga Universiteti i Bolonjës i cili i lejon studentët refugjatë të mësojnë më shumë për sistemin universitar italian, në periudhën e pritjes për të marrë njohje ligjore dhe statusin e refugjatit.

Në fakt pritja për dokumente mund të zgjasë disa muaj sepse aplikacioni për azil kërkon shumë hapa të cilat shqyrtohen nga institucione të ndryshme italiane, siç janë komisionet territoriale dhe policia Questure.

Përmes projektit Unibo, studentët e interesuar mund ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të mësuar më shumë për jetën brenda Universitetit të Bolonjës dhe për të vendosur nëse duan të regjistrohen në universitet pasi të fitojnë statusin e refugjatit, ose ndoshta të presin dhe të regjistrohen më vonë.

Çfarë ofron Unibo?

Projekti Unibo ofron mbështetje për studentët të cilët kanë aplikuar për azil politik nëpërmjet:

  • orientimit të studentëve të cilët po mendojnë të regjistrohen në universitet
  • rishikimit dhe përgatitjes së dokumenteve shkollore të nevojshme për regjistrim
  • regjistrim falas për kurse të veçanta
  • regjistrim falas për kurse të gjuhës Italiane

Në këtë mënyrë studentët kanë mundësi të mësojnë më shumë për universitetin, metodat e studimit, shërbimet, dhe të takojnë studentë të tjerë dhe mësues.

Pasi të sigurohet mbrojtja ndërkombëtare, studentët mund të regjistrohen në kurset që ata zgjedhin. Unibo ofron bursa për studentët refugjatë që më së shumti e meritojnë.

Mund të interesojë

Dëshiron të marrësh përditësime mbi shërbimet tona dhe informacionin e disponueshëm?

Regjistrohu për buletinin tonë dhe bëhu pjesë e Komunitetit ItaliaHello!