Shoqëria italiane

Çdo shoqëri ka aspekte të rëndësishme mbi të cilat bazohet dhe zhvillohet. Njohja e këtyre aspekteve të ndihmon të kuptosh më mirë kulturën e vendit ku jeton. Ja disa tipare të shoqërisë italiane që mund t'i vëzhgosh në përditshmëri.

shoqërinë italiane ka disa elemente që janë shumë të rëndësishme. Këto elemente janë familja, puna, liria dhe jeta shoqërore.

Familja

Familja është në qendër të shoqërisë italiane. Ajo ka rol të rëndësishëm në jetën e fëmijëve dhe adoleshentëve. Edhe në moshën madhore, shumica e njerëzve kanë lidhje të forta me prindërit e tyre dhe të afërmit e tjerë. Është normale të ndash disa aspekte të jetës private me familjen dhe të kalosh festat dhe pushimet së bashku, pasi familjet italiane janë përgjithësisht të lidhura.
  • Edhe pse të rritur, shumë të rinj ende jetojnë në shtëpinë e prindërve të tyre. Kjo ndodh kryesisht për shkak të vështirësive ekonomike në të cilat gjenden shumë të rinj. Përveç kësaj, të rriturit ndonjëherë i mirëpresin prindërit e tyre në shtëpitë e tyre kur prindërit janë të moshuar për të jetuar vetëm.
  • Prindërit e fëmijëve të vegjël mund të mbështeten në ndihmën e gjyshërve, në vend që të punësojnë një dado. Gjyshërit kanë rol aktiv në rritjen e fëmijëve dhe kalojnë shumë kohë me ta. 
  • Roli i prindërve është shumë i rëndësishëm dhe merret shumë seriozisht. Prindërit janë shumë të pranishëm në jetën e fëmijëve të tyre edhe nëse fëmijët e  janë të rritur, ata i ndjekin gjatë gjithë edukimit dhe zhvillimit të tyre profesional dhe personal.

Puna

Neni i parë i Kushtetutës italiane thotë se "Italia është një republikë demokratike e bazuar në punë." Në shoqërinë italiane, puna ka qenë gjithmonë shumë e vlerësuar dhe konsiderohet një mjet për arritjen e përmbushjes personale. Në të kaluarën, tregu italian i punës ofronte shumë mundësi. Tani, për shkak të kushteve të vështira ekonomike në vend, si në shumë vende të tjera, ka më pak mundësi punësimi. Shumë njerëz kanë paga të ulëta ose nuk punojnë. Pavarësisht kësaj, ka shumë njerëz me iniciativë dhe të pasionuar që janë të përkushtuar ndaj punës së tyre.
  • Në Itali ka shumë biznese të vogla dhe të mesme, veçanërisht në veri.
  • Në Itali ka shumë biznese familjare. Fëmijët vazhdojnë punën e prindërve të tyre, për shembull, drejtimin e dyqaneve dhe restoranteve. Prandaj, familje të tëra përfshihen dhe investojnë energjinë e tyre në një ndërmarrje të përbashkët. 
  • Shumë italianë nisin projekte inovative në botën e kulturës, artizanatit dhe shërbimit ushqimor, duke mbajtur gjallë kësisoj këta sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, të cilët janë të lidhur me numrin e madh të turistëve që vijnë për të vizituar Italinë çdo vit.

Liria

Në Itali, liria është shumë e rëndësishme. Ligji italian parashikon dhe mbron shumë lloje lirish.
  • Liria personale, e cila ndalon kërkimin, inspektimin ose arrestimin e një personi pa urdhër të gjyqtarit. Liria personale gjithashtu ndalon që këto veprime të ndodhin në rastet që nuk zbatohen me ligj.
  • Liria fetare, e cila i jep çdo personi të drejtën të praktikojë çdo fe që dëshiron. 
  • Liria e mendimit, pra liria e shtypit dhe liria e njerëzve për të shprehur atë që mendojnë.

Barazia

Neni 3 i Kushtetutës italiane thotë se "të gjithë qytetarët kanë status të barabartë dhe janë të barabartë para ligjit, pa diskriminim në bazë të gjinisë, racës, gjuhës, fesë, opinionit politik dhe rrethanave personale dhe shoqërore."
  • Të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
  • Në shkollë, të gjithë nxënësit janë të barabartë dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
  • Burrat dhe gratë janë të barabartë dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Edhe nëse disa njerëz nuk i respektojnë këto parime, koncepti i barazisë mbetet një vlerë e rëndësishme në shoqërinë italiane.

Jeta shoqërore

Njerëzit në Itali janë përgjithësisht të shoqërueshëm dhe u pëlqen të kalojnë kohë me të tjerët. Shumë njerëz takohen për të biseduar dhe për të qeshur me miqtë. Shpesh, arsyeja e bashkimit është për të pirë një pije ose për të ngrënë së bashku.
  • Njerëzit e çdo moshe takohen me miqtë në bare, piceri apo klube nate.
  • Ndonjëherë prindërit i lënë fëmijët e tyre në shtëpi me gjyshërit ose me një dado që të mund të dalin me miqtë e tyre. 
  • Është e zakonshme të ftoni miqtë në shtëpinë tuaj për drekë ose darkë.

Paraqitja 

Italianët kanë një prirje të fortë estetike (të bukurisë) dhe i kushtojnë vëmendje pamjes së jashtme dhe gjërave. Kjo mund të jetë për shkak të traditave artistike në Itali dhe rëndësisë së modës italiane. Kujdesi për paraqitjen tënde mund të ndihmojë në jetën sociale dhe të punës në Itali. 
  • Shumë italianë fillimisht e gjykojnë një person nga pamja e jashtme. Ata gjykojnë gjendjen e rrobave të njerëzve apo mënyrën se si ata i kanë bërë flokët dhe grimin.
  • Italianët veshin rroba zyrtare për të marrë pjesë në mbledhje, për të shkuar në zyrë ose për raste të veçanta (dasma, comunioni, ditëlindjet). Rrobat formale janë kostume duke përfshirë një xhaketë dhe pantallona (për meshkuj), një xhaketë dhe fund ose pantallona (për femra), këmishë me kopsa dhe këpucë elegante. Ngjyrat neutrale dhe ngjyrat që nuk janë shumë të ndezura janë më të mirat për situatat zyrtare. Mos vishni xhinse, pantallona të shkurtra, minifunde, këmisha me mëngë të shkurtra, pantallona të pambuluara ose këpucë sporti. Është e rëndësishme që rrobat të jenë të lara mirë, të hekurosura dhe të mos kenë vrima apo grisje.
Të gjitha pohimet e renditura në këtë tekst janë përgjithësime. Qëllimi i ItaliaHello është të ofrojë përgjithësime për të ndihmuar të kuptosh më mirë pse një italian mund të veprojë në një mënyrë që nuk mund ta kuptosh. Mos harro, asnjë mënyrë nuk është më e mirë se mënyra tjetër - por është thjesht e ndryshme.

Mund të interesojë

Dëshiron të marrësh përditësime mbi shërbimet tona dhe informacionin e disponueshëm?

Regjistrohu për buletinin tonë dhe bëhu pjesë e Komunitetit ItaliaHello!