NASpI – Sigurimi i Ri Social për Punësimin
Në Itali, punëtorët që kanë humbur punën kanë të drejtë të marrin një kontribut mujor nga INPS, enti publik italian që merret me të ashtuquajturën previdenca sociale. Ka disa rregulla dhe kushte për të marrë NASpI: le të shohim cilat janë dhe si funksionojnë.
Çfarë është NASpI
NASpI (Nuova Assicurazione Sociale per l’Impiego), e njohur edhe si “disoccupazione”, është një ndihmë ekonomike mujore që u takon punonjësve me kontratë pune (lavoratori dipendenti) që kanë humbur punën, si pasojë e një licenziamento ose përfundimit të një kontrate pune me afat (contratto a tempo determinato).
Kjo do të thotë që punëtori që është larguar vetë nga puna (dimissioni) nuk mund të marrë NASpI, edhe pse ka disa përjashtime si të ashtuquajturat dimissioni per giusta causa ose dorëheqja e punonjëses gjatë maternitetit.
NASpI nuk u jepet vetëm qytetarëve italianë, por edhe qytetarëve jo-UE me permesso di soggiorno të rregullt.
Punëtorët që mund të kërkojnë NASpI janë persona me marrëdhënie pune të varur pra me kontratë, apprendisti, personel artistik me marrëdhënie pune të varur, punonjës me kontratë me afat në administratën publike. Ndërsa nuk mund të kërkojnë NASpI punëtorë të pavarur me partita IVA, sipërmarrës dhe punëtorë me kontrata të tjera parasubordinate.
Ka edhe raste më specifike ku ligji vendos nëse mund të kërkohet NASpI, të cilat janë të listuara në faqen e INPS.
Cilat janë kriteret për të kërkuar NASpI
Për të pasur të drejtë për NASpI, është e nevojshme të kesh punuar të paktën 13 javë në katër vitet para periudhës së papunësisë. Kjo quhet contribuzione utile dhe duhet të kalojë një minimum të përcaktuar nga ligji.
Contribuzione utile përfshin edhe raste kur punëtori nuk ka punuar, por ka derdhur kontribute. Për shembull:
- kontributet e maternità obbligatoria (leje lindje e detyruar)
- periudhat kur prindi nuk ka punuar për sëmundjen e fëmijëve deri në moshën tetë vjeç (maksimum 5 ditë pune në vit)
- periudhat e punës jashtë vendit në shtetet e BE-së ose në vende me marrëveshje me Italinë për punësimin
Ndërkohë, nuk konsiderohen si contribuzione utile periudhat e sëmundjes, cassa integrazione (ordinaria dhe straordinaria me zero orë), mungesat për leje dhe pushime (permessi e congedi), contratti di solidarietà, aspettativa non retribuita për funksione elektorale ose detyra sindikale dhe periudhat e punës jashtë vendit në shtete pa marrëveshje punësimi me Italinë.
Portali Disoccupazione INPS të lejon të verifikosh nëse i plotëson kushtet dhe të bësh aplikimin.
Si dhe kur bëhet kërkesa për NASpI
Kërkesa për NASpI bëhet online në faqen e INPS. Për t’u identifikuar mund të përdorësh SPID ose CIE.
Në faqen e INPS mund të gjesh edhe guida të dobishme. Nëse ke vështirësi, mund të telefonosh call center në numrat 803 164 nga telefoni fiks dhe 06 164 164 nga celulari. Ka edhe shumë CAF dhe shërbime patronato që mund të të ndihmojnë (me pagesë). Mund të gjesh më të afërtin duke kërkuar në Google, p.sh. “CAF + qyteti”.
Mund të bësh kërkesën nga dita pas përfundimit të punës, por pagesa fillon nga dita e tetë. Nëse aplikon pas 68 ditësh, pagesa fillon nga dita pas aplikimit.
Pasi të dërgosh kërkesën, INPS do të të njoftojë me postë në adresën e rezidencës. Do të marrësh edhe një SMS që të njofton se mund të shohësh rezultatin në MyINPS. Zakonisht duhen rreth 30 ditë.
Kur bën kërkesën, merr automatikisht Dichiarazione Immediata Disponibilità al lavoro (DID). Ke 15 ditë për t’u regjistruar në Centro per l’Impiego, përndryshe humbet të drejtën për NASpI.
Çfarë dokumentash më duhen për të bërë kërkesën?
Dokumentat që duhet të prezantosh janë:
- kontrata e fundit e punës ose letra e licenziamento
- IBAN ku do të marrësh NASpI
- kartë identiteti ose pashaportë
- codice fiscale
- permesso di soggiorno i vlefshëm
- deklarata e rezidencës
- paga e fundit (busta paga)
- dokumente që vërtetojnë contribuzione utile (p.sh. materniteti)
Sa përfiton në muaj?
NASpI jepet çdo muaj për gjysmën e javëve të contribuzione utile në 4 vitet e fundit, deri në maksimum 24 muaj. P.sh., nëse ke punuar 20 javë, ke të drejtë për 10 javë NASpI.
Shuma është 75% e pagës mesatare mujore të 4 viteve të fundit. Ligji vendos çdo vit maksimumin (për 2025: €1.550,42). Pas muajit të gjashtë, shuma ulet me 3% çdo muaj (nga muaji i tetë nëse je mbi 55 vjeç).
Ka raste kur shuma NASpI ulet. Të gjitha janë të shpjeguara në faqen e INPS.
Kur humbet e drejta për NASpI
Është shumë e rëndësishme të njoftosh INPS për çdo ndryshim (punë, rezidencë, IBAN). Nëse jo, mund të humbasësh të drejtën.
Nuk ke më të drejtë të marreësh NASpI nëse:
- Gjen një punë si punonjës i varur për më shumë se 6 muaj;
- Nuk respekton deklaratën e menjëhershme të gatishmërisë për punë (DID), refuzon oferta pune të përshtatshme ose nuk merr pjesë në intervistat e propozuara nga Qendra për Punësim;
- Tejkalon periudhën për të cilën të takon NASpI, deri në një maksimum prej 24 muajsh;
- Ke dhënë deklarata të rreme. INPS kontrollon informacionet që jep: nëse gjen gabime ose deklarata të rreme, mund të bllokojë NASpI-n tënde;
- Del në pension.
Mund të kem të ardhura të tjera dhe të vazhdoj të marr NASpI?
Varet. Mund të vazhdosh NASpI në këto raste:
- Prestazione autonoma occasionale (punë e pavarur e rastësishme) mund të punosh edhe pse shuma e përfitimit zvogëlohet në bazë të të ardhurave që merr. Kujto që duhet gjithmonë të komunikosh ndryshimet e të ardhurave te INPS përmes shërbimit NASpI-COM;
- TFR ose paga të prapambetura;
- Të ardhura të tjera të kufizuara si bursa studimi ose ndihma minimale;
- Servizio Civile Universale (shërbimi civil universal). Në këtë rast nuk duhet të komunikosh fillimin e shërbimit civil.
Link të dobishëm
-
Portale Inps NASpI
Shko te linku -
Portale Disoccupazione
Shko te linku -
I requisiti per chiedere la NASpI
Shko te linku
Mund të interesojë
-
Kontrata punësimit
Hap artikullin -
Çfarë është SPID dhe si ta marrësh
Hap artikullin -
Zyra e Punës (Centro per l’Impiego)
Hap artikullin