Fazat e aplikimit për nënshtetësi

Pasi dërgon aplikimin për nënshtetësinë, do presësh disa vite para se të marrësh një përgjigje përfundimtare. Ajo që mund të bësh gjatë kësaj kohe pritjeje, është të kontrollosh në portalin e Ministrisë së Brendshme fazat ku është aplikimi, dhe nëse ke dyshime apo pyetje mund të kërkosh ndihmë.

Pasi dërgon aplikimin, Prefektura merr në shqyrtim kërkesën tënde.

Me anë të SPID  ose ‘emri i përdoruesit’ mund të futesh dhe të kontrollosh në portal:

  • statusin e aplikimit tënd (në seksionin “Stato pratica”)
  • mesazhet që dërgon Prefektura (në seksionin “Comunicazioni”).

Do marrësh dy mesazhe shumë të rëndësishme:
1) një mesazh me të cilin Prefektura të komunikon nëse aplikimi është pranuar apo jo.
2) një mesazh ku komunikohet data e takimit në Prefekturë. Në këtë takim Prefektura do të kontrollojë versionin origjinal të të gjitha dokumenteve që ke bashkëngjitur në aplikim. Pra duhet të marrësh me vete të gjitha dokumentet origjinale. Nëse nuk paraqitesh në këtë takim, Prefektura do të dërgojë datën për një takim të dytë. Nëse nuk paraqitesh as në takimin e dytë, rrezikon që aplikimi mund të refuzohet.

Nëse dokumentet janë në rregull, Prefektura do të japë codice K10 (kodin K10). Këtë kod mund ta përdorësh për të kontrolluar statusin e aplikimit në portalin e Ministrisë.

Aplikimi për nënshtetësi kalon nëpër 7 faza përpara se Prefektura të marrë një vendim. Kur kontrollon statusin e aplikimit do shohësh se në cilën fazë është. Në këtë vidjo shpjegohet se cilat janë 7 fazat: https://www.youtube.com/watch?v=rRDZpo7gESY&t=3s

Sa kohë më duhet të pres derisa të marr përgjigje?

Rezultatin e aplikimit për nënshtetësi do ta marrësh:

  • Pas 2 vjetësh (maksimumi 3) nëse ke dërguar aplikimin pas datës 20 dhjetor 2020.
  • Pas 4 vjetësh nëse ke dërguar aplikimin para datës 20 dhjetor 2020.

Edhe gjatë viteve që je në pritje të rezultatit të aplikimit është shumë e rëndësishme të vazhdosh të kesh rezidencën në Itali. Nëse për një periudhë kohe pas dërgimit të aplikimit ke një shkëputje rezidence për një farë kohe, kërkesa për nënshtetësi mund të refuzohet.

Mund ta kontrollosh statusin e aplikimit tënd në këtë portal, duke përdorur SPID tënd.

Pas viteve të pritjes, do marrësh një letër me postë raccomandata në adresën që ke dhënë në Prefekturë. Kjo letër do të komunikojë nëse e ke marrë apo jo nënshtetësinë.

Nëse rezultati është pozitiv, atëherë e merr nënshtetësinë pasi bën giuramento (betimin) tek Comune ku je rezident.

Nëse rezultati është negativ, ke dhjetë ditë kohë për të kuptuar arsyet pse nuk mund ta përfitosh nënshtetësinë dhe të përpiqesh ti japesh Prefekturës informacionet që i mungojnë për të dhënë nënshtetësinë.

A mund të kërkoj ndihmë për aplikimin për nënshtetësi?

Nëse ke nevojë për ndihmë për të kontrolluar statusin e aplikimit apo ke pyetje, mund të telefonosh këto numra të Ministero dell’Interno:

06 46539955 (aktiv të hënave dhe të mërkurave nga ora 10:00 deri në 12:00)
334 6909996 (aktiv të mërkurave nga ora 10:00 deri në 12:00)
334 6909859 (aktiv të premteve nga ora 10:00 deri në 12:00)

Ose mund të kërkosh ndihmë falas nga një CAF, një patronato apo sindacato aty ku jeton.
Mund të pyesësh dhe një avokat, por nëse nuk ke gratuito patrocinio (ndihmë ligjore falas), konsultimi nuk është falas.

Dëshiron të marrësh përditësime mbi shërbimet tona dhe informacionin e disponueshëm?

Regjistrohu për buletinin tonë dhe bëhu pjesë e Komunitetit ItaliaHello!