Fillimi i një pune të re
Kur fillon një punë të re ditët e para janë gjithmonë të vështira. Të duhet të mësosh gjëra të reja, të takosh dhe të përshtatesh me njerëz të rinj. Lexo disa këshilla për të mësuar si të veprosh dhe si të menaxhosh stresin.
Fillimi i një pune të re është shumë stimulues sepse të jep mundësinë të rifillosh nga e para dhe të shfrytëzosh mundësitë e reja që të ofrohen. Për t’u përshtatur lehtësisht në vendin e ri të punës është e rëndësishme të tregohesh menjëherë i sjellshëm dhe i dobishëm.
Edhe të ndjehesh nervoz ditët e parë të punës është normale. Por mos harro se je përzgjedhur mes shumë kandidatëve sepse ke kualitetet e duhura për ta bërë atë punë.
Ja disa këshilla që mund të kesh parasysh gjatë ditëve të para të punës në mënyrë që të shmangësh sjellje jo të favorshme.
- Mëso rrugën dhe mjetet e transportit që të duhet për të shkuar në punë.
Studio përpara rrugën që duhet të bësh për në punë dhe llogarit kohën që duhet për të shkuar në këmbë ose me transport publik (autobus, makinë, etj.). Në këtë mënyrë nuk do vonohesh.
- Shko në orarë.
Shko në punë në orarë, më mirë akoma se 5-10 minuta më herët. Për shembull, nëse fillon punën në orën 8:00, përpiqu të jesh aty në 7:50. Në këtë mënyrë ke kohë nëse të duhet të ndërrohesh dhe të jesh gati për në orën 8:00.
- Fik telefonin.
Fik telefonin ose lëre me dridhje. Telefoni mund të të shpërqendroj gjatë punës.
- Pyet për shefin ose personin që do të ndjekë.
Nëse ke një person referent që mbikqyr punën tënde, pyet menjëherë për të sapo të arrish. Kur të takosh referentin tënd, mos ji i turpshëm. Ai e di mirë që është dita jote e parë e punës dhe pret që të kesh pyetje në mënyrë që të familjarizohesh me ambientin e ri. Pyet atë çfarë të duhet të dish para se të fillosh punën dhe cfarë duhet të bësh. Dëgjo me kujdes çfarë të thonë. Të bësh pyetje tregon që është e rëndësishme për ty të punosh mirë.
- Njihu me kolegët.
Prezantohu me kolegët dhe njihu me ta dhe rolin e tyre. Në këtë mënyrë do dishë kë të pyesësh për informacione nëse ke dyshime ose probleme në të ardhmen.
- Jepi kohë vetes për të mësuar.
Të ndjehesh në siklet kur fillon një punë të re, është fare normale. Të gjithë e dinë që sapo ke filluar dhe duhet të mësosh shumë gjëra. Qëndro i përqendruar dhe pyet shefin ose kolegët që të ndihmojnë ti kuptosh dhe ti kryesh më mirë detyrat e tua. Kur bën pyetje tregon interesim dhe se je entuzjast për punën që po bën.
- Shko në punë çdo ditë që të kërkohet.
Nëse ke një orar me turne, përmbaju gjithmonë atij. Qëndro në punë deri në fund të turnit tënd. Nëse e përfundon punën tënde më herët, pyet nëse ka ndonjë gjë tjetër që mund të bësh. Tregon se kujdesesh për punën dhe se dëshiron të kontribuosh sa më shumë. Nëse ke një urgjencë dhe duhet të largohesh më shpejtë nga puna, kërko së pari leje nga shefi yt. Mos u largo asnjëherë para përfundimit të orarit pa lajmëruar.
- Nëse je sëmurë, lajmëro sa më parë të jetë e mundur në punë.
Njofto se je i sëmurë dhe se duhet të rrish në shtëpi atë ditë. Njofto menjëherë në mënyrë që të gjejnë dikë për të të zëvendësuar nëse është e nevojshme. Në rast sëmundjeje, pasi të njoftosh vendin e punës, duhet të kontaktosh dhe mjekun tënd që të kontrollojë dhe të lëshojë certificato di malattia (certifikatën e sëmundjes) që duhet t’i dërgosh punëdhënësit.
- Ndihmo kolegët e tu.
Në bizneset e vogla, mund të kërkohet të kryesh shumë detyra të ndryshme. Nëse je për shembull magazinier në një supermarket, pastrimi i dyshemesë ose rregullimi i produkteve në raft mund të jenë të gjitha pjesë e detyrave që duhet të bësh. Nëse njëri nga kolegët është me pushime, mund të të kërkohet të bësh disa nga detyrat e tijë. Kjo mënyrë pune është tipike e punës në skuadër dhe në një skuadër kërkohet bashkëpunim për të përfunduar punën. Nëse tregohesh bashkëpunues, shefi yt do ta ketë parasysh në rast se është një mundësi për promovimi.
- Thuaj gjithmonë të vërtetën. Mund të ndodh të gabosh.
Është më mirë të jesh i sinqertë me shefin tënd dhe kolegët. Nëse bën një gabim, nuk ka problem. Mund të thuash që ke gabuar dhe se të vjen keq. Kjo mund të jetë e vështirë, por vlerësohet shumë në një mjedis pune.
- Ndiq udhëzimet që të jepen.
Ndiq gjithmonë udhëzimet që të jepen nga shefi yt. Nëse nuk mund të bësh disa nga gjërat që të janë kërkuar, për arsye fetare ose personale, shpjego arsyen, në mënyrë që të gjëndet një zgjidhje. Është mirë të ndash idetë dhe opinionet e tua. Në këtë mënyrë shefi dhe kolegët do njohin motivet e tua dhe do ti respektojnë.
Megjithatë, bëj kujdes që të mos ndjekësh udhëzimet e shefit tënd nëse të kërkon të bësh gjëra të jashtligjshme, për çështje serioze të ndaluara me ligj.
Mund të interesojë
-
Kontrata punësimit
Hap artikullin -
Listëpagesa (busta paga)
Hap artikullin