Mbrojtja ndërkombëtare: përgjigja negative dhe apelimi
Kur nuk të jepet mbrojtja ndërkombëtare, mund të bësh ankesë në gjykatë brenda 30 ditëve nga marrja e përgjigjes negative. Avokati përmes apelimit bën kërkes që dosja të shqyrtohet sërisht.
Apelimi (ose ankesa) është praktika përmes së cilës kërkohet të ndryshohet vendimi i gjykatës civile.
Nëse ke aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare dhe të është refuzuar, apo ke marrë një lloj mbrojtjeje të ndryshme nga statusi i refugjatit, mund të bësh një ankesë për rishqyrtim të kërkesës.
Si ta paraqesësh ankesën
Mund të bësh ankim brenda 15 ose 30 ditëve (në varësi të rastit) nga njoftimi i vendimit të Komisionit Territorial. Nëse nuk jeton në Itali ke 60 ditë kohë. Për të bërë ankesën të duhet një avokat. Nëse nuk ke të ardhura ekonomike të mjaftueshme, ke të drejtë të ndihmohesh pa pagesë nga një “avvocato d’ufficio”.
Pas paraqitjes së ankesës, mund të qëndrosh në Itali deri në marrjen e vendimit të gjykatës me një “permesso di soggiorno per attesa esito ricorso” (leje qëndrimi në pritje të rezultatit të apelimit). Mund të bësh kërkesë për këtë lloj permesso në Questura me ndihmën e avokatit. Permesso është e vlefshme për 6 muaj dhe mund të rinovohet nëse brenda 6 muajve nuk ke marrë ende përgjigje.
Për apelimin nuk ka gjithmonë një seancë. Seanca është kur të duhet të paraqitesh personalisht para gjyqtarit me avokatin tënd për t’u përgjigjur disa pyetjeve të gjyqtarit. Gjyqtarët vendosin nëse do të caktojnë një seancë ose jo bazuar në informacionin dhe dokumentet që kanë në dispozicion. Brenda 4 muajve nga paraqitja e ankesës, gjykata duhet të marrë një vendim për çështjen tënde. Megjithatë, ka dhe raste kur gjykatës mund ti duhen më shumë se 4 muaj.
Nëse ankesa të refuzohet sërisht, pra merr përsëri një përgjigje negative, mund të bësh një ankesë të re në Corte Suprema di Cassazione (Gjykata e Lartë e Kasacionit).
Kij parasysh se mund të paraqesësh një kërkesë të re për mbrojtje ndërkombëtare nëse dalin në pah elementë të rinj për t’u shqyrtuar (për shembull: nëse gjen dokumenta që vërtetojnë historinë tënde personale ose nëse situata në vendin tënd ka ndryshuar) dhe ke hequr dorë nga aplikimi i mëparshëm. Është e rëndësishme që, nëse ke elementë të rinj, të paraqesësh kërkesën e re për mbrojtje ndërkombëtare sa më shpejt të jetë e mundur.
Ankimi në Gjykatën e Lartë të Kasacionit
Nëse Gjykata Civile ka refuzuar ankesën tënde, atëherë mund të apelosh në Gjykatën e Lartë të Kasacionit.
Gjykata e Kasacionit është gjykata më e lartë në Itali. Mbi këtë nuk ka tjetër. Prandaj në nivel kombëtar vendimi i Gjykatës së Kasacionit është përfundimtar.
Ankimi në Kasacion mund të bëhet vetëm me ndihmën e një avokati të specializuar për këtë lloj gjykate. Prandaj, avokati të cilin do të duhet të kontaktosh duhet të jetë një avokat i kasacionit.
Apelimi në Gjykatën e Lartë të Kasacionit duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga komunikimi i vendimit të Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Kasacionit duhet të vendosë për ankesën tënde brenda 6 muajve. Koha mund të jetë dhe më e gjatë se kaq. Edhe në këtë rast ke të drejtë të qëndrosh në Itali deri në marrjen e vendimit të gjykatës.
Nëse vendimi i Gjykatës së Lartë është negativ, do marrësh një urdhër dëbimi. Një urdhër dëbimi do të thotë që duhet të largohesh nga vendi.
Mund të interesojë
-
Mbrojtja Ndërkombëtare
Hap artikullin -
Si të aplikosh për mbrojtje ndërkombëtare
Hap artikullin -
Patrocinio a spese dello Stato: asistencë ligjore falas
Hap artikullin