Si të shkruash kurrikulumin (CV)
Të mësosh se si të shkruash kurrikulumin (CV) është shumë e rëndësishme teksa po kërkon një punë. Kurrikulumi përshkruan të gjitha punët që ke bërë më parë dhe aftësitë e tua. Të ndihmon pra të prezantosh veten profesinalisht. Zbulo më shumë si të shkruash një CV në italisht.
Kurrikulumi, i quajtur edhe Curriculum Vitae ose CV, është një përmbledhje e jetës tënde profesionale. CV është mundësia jote e parë për të lënë një përshtypje të mirë kur aplikoni për një punë. Të mundëson të prezantosh veten dhe të shpjegosh përvojat profesionale, trajnimin dhe interesat e tua.
Pse më duhet kurrikulumi?
Kurrikulumi të duhet sa herë që aplikon për një vend pune. Mund t’ua dërgosh kompanive edhe nëse nuk kanë postuar një vend pune për t’i njoftuar ata që dëshiron të punosh për to. Punëdhënësi më pas vendos nëse do të ftojnë për një intervistë bazuar në atë që lexon ne CV. Prandaj është e rëndësishme të dish se si të shkruash mirë një kurrikulum!
Sa i gjatë duhet të jetë kurrikulumi?
Ekspertët thonë se kurrikulumi duhet të jetë 1 ose 2 faqe. Punëdhënësve u duhet të lexojnë shumë kurrikulume shumë shpejt. Prandaj, informacioni duhet të jetë i qartë dhe jo shumë i gjatë.
Si ta shkruaj kurrikulumin tim?
Informacionet kryesore që duhet të japë kurrikulumi janë:
- Kush je. Të dhënat personale (emri, mbiemri, data e lindjes, etj) dhe të dhënat e kontaktit personal (emaili, numër telefoni, etj) janë të rëndësishme.
- Çfarë formimi ke. Aftësitë që keni fituar në shkollë, kurs trajnimi ose përmes përvojës së punës.
- Çfarë eksperiencash pune ke. Shkruaj përvojat e mëparshme të punës, rolet dhe detyrat që ke kryer në këto vende pune.
- Qëllimet për të ardhmen. Roli në të cilin e sheh veten në të ardhmen. Mund të bësh një përshkrim të shkurtër të profilit tënd në kurrikulum, duke shpjeguar pse po aplikon. Gjithashtu mund ta përfshish këtë pjesë në letrën motivuese si hyrje të shkurtër.
Këtu janë disa këshilla për të shkruar kurrikulumin sa më mirë dhe për të përfshirë tërë informacionin e kërkuar:
Informacioni në kurrikulum duhet të jetë i qartë, i organizuar mirë dhe i lehtë për t’u lexuar. Shkruaj të dhënat e tua personale në krye së bashku me të dhënat e tua të kontaktit. Përdorni pjesë apo ndarje të veçanta për të renditur studimet, përvojën e punës, aftësitë, kualifikimet dhe çdo informacion tjetër të rëndësishëm.
Vendosja e fotos në kurrikulum është e këshillushme, por jo e detyrueshme. Nëse vendos një, atëherë përdor një fotografi të kohëve të fundit ku shihet vetëm fytyra, ose koka dhe shpatullat. Duhet të jetë e kohëve të fundit dhe me një sfond neutral. Evito foto që tregojnë krahë të zhveshur dhe dekolte, fotografi me miqtë, familjen ose kafshët, dhe fotografi në vende jo profesionale (si në plazh, në bar, etj).
Shkruaj qartë të dhënat personale dhe kontaktet. Do të jenë referenca kryesore për punëdhënësin e ardhshëm gjatë procesit të përzgjedhjes.
- Së pari shkruaj emrin, më pas mbiemrin. Gratë e martuara duhet të shkruajnë të njëjtin mbiemër që përdorin në dokumentet zyrtare. Mos vendos tituj akademikë (të tillë si Dr., Ing.) para të dhënave tuaja personale.
- Sipas ligjit italian, nuk është e detyrueshme të shkruash datën e lindjes dhe vendin e lindjes në kurrikulum. Nëse vendos ta shkruash, atëherë vendo së pari datën dhe më pas vendin e lindjes. Nëse ke lindur në një shtet tjetër, specifiko qytetin dhe shtetin.
Për shembull: “Data dhe vendi i lindjes: 20 Mars 1987 – Tiranë, Shqipëri”
- Sipas ligjit italian, gjithashtu nuk është e detyrueshme të shkruash adresën ku banon në CV. Thjesht mund të vendosësh qytetin ku jeton. Nëse dëshiron ta shkruash dhe adresën, atëherë mos harro të shtosh numrin dhe kodin postar ku banon. Shkronja e parë e emrit të rrugës, qytetit dhe vendit shkruhet me shkronja të mëdha. Shkruaj provincën në kllapa.
Për shembull: Via Gaspare Farulla, 14 – 70043 Monopoli (BA)
- Numri i telefonit dhe adresa email është thelbësore. Përdor numër telefoni italian për të shmangur probleme kur të kontaktohesh. Ndaj tre numrat e parë.
Për shembull: 329-xxxxxxx or 329/xxxxxxx
- Nëse ke një profil LinkedIn, gjithashtu mund të shtosh linkun në CV.
- Kontrollo me kujdes që të mos ketë gabime.
Fillo me përvojën tënde më të fundit të punës ose pozicionin tënd aktual, edhe nëse po shërben si vullnetar, dhe vazhdo t’i rendisësh deri në eksperiencën e punës më të vjetër. Listo përvojat më të rëndësishme pa u kthyer shumë pas në kohë.
- Shkruaj datat e fillimit dhe mbarimit, punën që ke bërë dhe emrin e kompanisë për të cilën ke punuar. Nëse je duke punuar aktualisht, mund të shkruash datën e fillimit të ndjekur nga ” – prezente” ose “- in corso” (- aktualisht/në zhvillim e sipër) për të treguar se ky është pozicioni yt aktual.
- Shpjego shkurt rolin, detyrat dhe përgjegjësitë. Për shembull: Portieri në hotel kryen detyra të ndryshme, të tilla si transportimi i bagazheve, rregullimi dhe pastrimi i sallës dhe parkimi i makinave.
E rëndesishme: Përshtat CV-në tënde për çdo kandidaturë.
Përshtatje do të thotë të modifikosh për t’u përshtatur me situatën. Për cdo kandidature përshtat CV-në duke u përqëndruar në përvojat e punës që janë më të rëndësishme dhe kanë të bëjnë me atë pozicion pune. Eksperiencat që nuk kanë shumë ngjashmëri përshkruaji më shkurt. Mund të shtosh edhe stazhe-t, veçanërisht nëse kanë lidhje me punën për të cilën po aplikon.
Është shumë e rëndësishme të shkruash gjithçka mbi studimet e tua. Shkruaj emrin/at e shkollës/ave që ke ndjekur dhe të gjitha certifikatat apo diplomat që ke marrë. Për studimet, ashtu si për eksperiencat, listo shkollat duke filluar me atë që ke mbaruar së fundmi dhe vazhdo deri tek e para.
- Shkruaj emrin e plotë të institucionit apo universitetit ku ke studiuar dhe datat e sakta të fillimit dhe mbarimit të studimeve;
- Nëse ke pasur nota të mira apo ke fituar një kualifikim të veçantë, do ishte e dobishme ta shkruaje;
- Nëse institucioni ku ke studiuar është veçanërisht i rëndësishëm dhe i njohur në vendin tënd, është e rëndësishme që ta shkruash. Për shembull: 2005 – 2019: Universiteti Makerere, Kampala. Universiteti më i vjetër në Uganda dhe një nga institucionet më të mira akademike në Afrikë.
Nëse flet një apo më shumë gjuhë të huaja, shkruaje këtë në CV-në tënde. Gjuhët mund të të ndihmojnë shumë për punë, veçanërisht në qytete që vizitohen nga turistë!
Në CV-në tënde specifiko nivelin e kompetencës tënde në një gjuhë. Për këtë, referoju Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencës për Gjuhët (CEFR)
Gjithashtu, specifiko periudhat kohore në të cilat ke qëndruar në vende të tjera ku ke përdorur një gjuhë tjetër për të folur apo punuar. Shpjego se si kjo eksperiencë të ndihmoi të përmirësosh aftësitë e tua gjuhësore.
CV-ja duhet të shfaqë anët e tua më të mira personal dhe profesionale. Një nga elementet më të rëndësishme të CV-së është përshkrimi i qartë (dhe i sinqertë) i aftësive të tua praktike dhe ndërpersonale.
- Aftësitë teknike (“hard skills”) janë aftësi që lidhen specifikisht me një punë të veçantë dhe që ti i ke mësuar gjatë një trajnimi/stazhi apo eksperience pune. Për shembull: Nëse je ekspert në përdorimin e makinës qepëse apo një programi në kompjuter, kjo është një aftësi praktike që duhet ta shkruash. Duhet të përdorësh të gjitha kualifikimet, trajnimet/stazhet dhe eksperiencat e punës për të provuar që i ke aftësitë teknike të kërkuara për këtë punë.
- Aftësitë ndërpersonale (“soft skills”) janë aftësitë që ke si person që tregojnë se mund të punosh mirë. Ato përshkruajnë stilin tënd të punës, për shembull që mëson shpejt, ose që merr gjithë kohën e duhur për të bërë gjërat në mënyrën më korrekte.
Një kompetencë e rëndësishme ndërpersonale është të dish si të ndërveprosh me njerëzit. Sigurohu që aftësitë ndërpersonale që do të shkruash në CV të jenë në të njëjtën linjë me ofertën e punës.
Ja një formulë për të listuar aftësitë relacionale në CV-në tënde: aftësitë relacionale + rrethanat (në jetë ose punë) + objektivi arritur. Për shembull mund të thuash:
Përpikmëria – falë aftësisë sime për të qenë gjithmonë i përpiktë, në punë mu dha detyra për të bërë dërgesa te klientë të rëndësishëm. Klientët e vlerësuan shumë përpikërinë time dhe ndiheshin të respektuar. Kjo përmirësoi shumë vlerësimin e punës sime dhe favorizoi opinionin mbi kompaninë.
Disa nga llojet e rekomanduara të shkronjave për tu përdorur në një CV profesionale janë Helvetica, Arial dhe Times New Roman. Këto lloj shkronjash i japin CV-së një pamje të qartë dhe të rregullt.
Përmasa e përshtatshme e shkronjave është 12. Për tituj apo detaje mund të përdorësh shkronja pak më të mëdha apo të vogla. Preferohet gjithashtu përdorimi i shkronjave të zeza (bold) për titujt.
Kompleto CV-në tënde duke autorizuar përdorimin e të dhënave tua personale në përputhje me ligjin GDPR mbi privatësinë. Nëse nuk e firmos CV-në tënde, punëdhënësi mund të mos e marrë atë në konsideratë.
Mund ta autorizosh përdorimin e të dhënave duke shkruar: “Autorizoj përdorimin e të dhënave të mia personale në përputhje me rregulloren 2016/679 të Bashkimit Europian” – “Autorizzo il trattamento dei miei dati personali in base al regolamento 2016/679 dell’Unione Europea” dhe më pas firmose CV-në.
Ruaje CV-në në formatin që ke më të lehtë për ta përdorur. Por përdor formatin PDF për t’ia dërguar atë punëdhënësit.
- Ruajtja në formatin e saj origjinal, si Microsoft Word, të lejon ta përditësosh dhe ta personalizosh për aplikime të ndryshme. Mund ta emërtosh për shembull “[emri yt] curriculum.1”.
- Nëse e përditëson, mund ta zëvendësosh versionin e vjetër në mënyrë që të mos ngatërrosh versionin e vjetër me të riun. Për shembull “[emri yt] curriculum.2”.
- Nëse e përshtat për një ofertë pune, ruaje si një dokument të ri dhe shto emrin e punëdhënësit të cilit ia dërgove, në mënyrë që ta mbash mend. Për shembull, “[emri yt] curriculum.1 – dërguar [emri kompanis].”
- Sigurohu që të përfshish emrin tënd në emrin e dokumentit PDF kur ia bashkëngjit një aplikimi për punë apo emaili. Një dokument i quajtur “CV ime“ nuk do të jetë e dobishme për punëdhënësin. Mund ta emërosh për shembull: “emër.mbiemër.CV”.